Viti 1998 ishte vit i rëndë për qytetarët e Kosovës, ishte vit i fillimit të luftës frontale midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe regjimit okupues serb. Prishtina në atë kohë ishte e qetë dhe vetëm lëvizja e kohëpaskohshme e automjeteve të blinduara policore-ushtarake serbe nëpër qytet ishin tregues se në Kosovë po zhvillohej luftë e vërtetë.
Po në atë kohë të rëndë për Kosovën këngëtarët dhe humoristët mbanin jetën kulturore dhe shpirtin artdashës të shqiptarëve. Ku këta artistë krijuan një këngë për Kosovën, e cila do ta sensibilizonte çështjen e Kosovës dhe të luftës që po bëhej.
Në emisionin e radhës ‘FAKTE me Adnan Merovcin’ në Klan Kosova, është realizuar projekti i këngës në gjuhën angleze ‘Kosova Calls for Peace’ të krijuar nga artistë të shumtë. Njëra nga pjesëmarrëset e këngës ishte edhe këngëtarja e njohur Adelina Ismaili, e cila ka dhënë një prononcim për emisionin “FAKTE” rreth këtij projekti.
“Projekti “Kosova Calls for Peace”, ka qenë një dritë në fund të tunelit kur ka ndodhur në ato vitet e tmerrshme kur e kemi realizu. Adnan Merovci, i cili edhe e realizoi, ishte ideator i këtij projekti. Për ne ishte, mbase njeriu më serioz në Kosovë dhe çdo fjalë të tij e merrnim me Amin, sepse Adnani ishte në pozitën në të cilën ishte, por edhe projektet e tij ishin gjithmonë shumë serioze. Dhe kur më është ofruar mua ky projekt e pashë që nëse ne i thërrasim paqes, nëse ne e kemi mundësinë t’i flasim botës nëpërmjet këngës, ne po mundemi edhe me kontribu për paqen në Kosovë. Dhe gjithë këto emocione, gjithë këto dhimbje, gjithë shpresat që na i dha projekti “Kosova Calls for Peace”, u bëmë bashkë…”, u shpreh këngëtarja.
Gjithashtu Adelina rrëfeu emocionet e fuqishme që po i përjetonte deri sa po këndonte duke bërë thirrje për paqe në Kosovë. “Deri sa këndoja i gjithë trupi më dridhej në studio…”, u shpreh ndër të tjera ajo.