Policia e Kosovës ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që të bëjnë kujdes gjatë festës së Vitit të Ri, përcjell InLajmi.
Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët që të festojnë me zemër dhe jo me armë dhe të kenë kujdes në përdorimin e mjeteve piroteknike.
Zyrtarë nga Policia e Kosovës theksojnë se edhe sivjet, ashtu siç çdo vit, kanë hartuar planin operativ lidhur me festat e fundvitit.
Postimi i plotë nga Policia e Kosovës:
Angazhimi i Policisë së Kosovës për festat e fundvitit
Prishtinë, më 30 dhjetor 2022
Policia e Kosovës edhe këtë vit ka hartuar dhe është në zbatim të planit operativ lidhur me festat e fund-vitit dhe Vitit të Ri. Qëllimi parësor i Policisë është që përmes aktiviteteve operative dhe jo vetëm, të sigurojë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në tërë territorin e vendit.
Qëllimi i hartimit të këtij plani është që përmes shtimit të prezencës policore dhe vigjilencës së zyrtarëve policorë të arrihen patrullime të shtuara, prezencë policore më e madhe në terren, përfshirë sheshet ku pritet të ketë më shumë qytetarë si dhe prezencë policore në rrugë për të ofruar siguri në trafik.
Policia do të trajtojë me seriozitet çdo thirrje të qytetarëve dhe do të reagojë në raste kur prezenca policore është e nevojshme duke trajtuar rastet eventuale që mund të paraqiten në këtë periudhë të festave dhe pas tyre.
Duke apeluar tek të gjithë qytetarët që gjatë festimeve të jenë të kujdesshëm, të festojnë me zemër e jo me armë, të kujdesen sidomos te përdorimi i mjeteve piroteknike ku kërkohet monitorim nga të rriturit, po ashtu të kenë kujdes të shtuar në trafikun rrugor e të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit. /InLajmi/