Anëtari i Vetëvendosjes Hysamedin Feraj, ka thënë se barrikadat në veri janë larguar pa u plotësuar asnjë nga kërkesat e presidentit serb Aleksandar Vuçiqit, përcjell InLajmi.
Feraj e komentoi edhe vendimin për arrest shtëpiak të ish-policit Pantiq, për të cilin tha se ai ende nuk është liruar nga akuza pavarësisht vendimit.
Tutje ai theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka shumë pak gjasa që të pranohet.
Anëtari i VV-së thotë se përkundër këtyre fakteve, Serbia po i paraqet këto zhvillime si fitore të Vuçiqit dhe humbje të Kurtit.
Postimi i plotë i tij:
Barrikadat u hoqën pa u plotësuar asnjëra prej kërkesave të Vuçiqit:
- Lirimi i Pantiqit:
Pantiqi nuk është liruar ende as nga akuza as nga arresti, por vetëm iu ndryshua masa e arrestit (sigurisht e pazakontë për atë akuzë, por gjithsesi gjendet i arrestuar)
- Themelimi i asocacionit
Asocacioni nuk është pranuar dhe nuk duken gjasat të pranohet ndesh kushtetutës së Kosovës.
Pra:
Pavarësisht mosplotësimit të asnjë kërkese të barrikaduesve, në fund barrikadat i hoqi ai që i kishte vendosur, A. Vuçiqi! Siç dhe kishte deklaruar qysh në fillim i dërguari amerikan G. Escobar.
Gjithashtu, barrikadat u vendos të hiqen pa qenë i nevojshëm përdorimi i forcës as nga KFOR-i as nga policia e Kosovës, siç dhe dëshirohej nga të dy këta.
Por këto zhvillime Serbia po i paraqet si fitore të Vuçiqit dhe humbje të Kurtit!
Kjo e fundit: wishful thinking?!. /InLajmi/