Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës foli mbi kualitetin e punës së Kuvendit të Kosovës përgjatë vitit 2022, përcjell InLajmi.
Thaçi tha se se në mbi 100 seanca të mbajtura, Kuvendi ka arritur të miratojë 111 projektligje, apo 69% të projektligjeve të cilat i janë sjellë për shqyrtim. Ndërsa, 50 projektligje ende ndodhen në procedurë të shqyrtimit.
“Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë performancë është shumica e konsoliduar parlamentare, e cila ka mundësuar numrat për kalimin e projektligjeve. Në aspektin përmbajtjesor, pjesa më e madhe e projektligjeve të miratuara i përkasin sektorit të bujqësisë dhe atij drejtësisë”, tha ai.
Thaçi shtoi se në mungesë të vendosjes së sanksioneve për mospjesëmarrje të deputetëve në seanca apo në proces të votimit, situatat ku deputetët munguan në seanca dhe votim kanë qenë shumë të shpeshta. /InLajmi/