Policët të cilët ishin të vendosur në veri të Kosovës u zëvendësuan nga kolegët e tyre të shtunën, pas 16 ditë qëndrimi.
Zëvendësimi u bë tek pas më shumë se 2 javësh për shkak të vendosjes së barrikadave në ato zona.
Kjo u mundësua nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
“Pas një kërkese formale të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i shoqëroi një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët bënin rotacion dhe zëvendësonin policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX.
E diela shënon të 16-tën ditë që kur në veri u vendosën barrikadat nga serbët.
Në këtë formë ata po e kundërshtojnë arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i cili u prangos si i dyshuar për “Sulm terrorist” në Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor, në Mitrovicën e Veriut.

11 barrikada janë vendosur në veri nga serbët lokalë deri më tani.
Në ato zona vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të 2 drejtimet e kufijve me Serbinë.
Ndërkaq, policia ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë-Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po patrullojnë edhe nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, shkruan Klan Kosova.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media gjatë së shtunës ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.