Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, ka uruar 33-vjetorin e themelimit të LDK-së, përcjell InLajmi.
Haziri thotë se LDK është partia më e vjetër, më e organizuar, më e strukturuar dhe partia e vetme që këtij vendi i dha formë, besim e shpresë.
Nënkryetari i LDK-së shpreh mirënjohjen ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke thënë “Ai u lind për të shkaktuar procese të mëdha dhe për të realizuar ëndrra. I falemi dr. Ibrahim Rugovës”.
Postimi i plotë i tij:
33 vjet me LDK-në, familjen e madhe politike që i dha Republikës formë, besim dhe shpresë
LDK është partia më e vjetër, më e organizuar, më e strukturuar dhe partia e vetme që këtij vendi i dha formë, besim e shpresë se Republika jonë mundet dhe duhet të zhvillohet për t’u bërë e barabartë me të gjithë të tjerat.
Kjo familje politike e Ibrahim Rugovës, këtij vendi, përveç që ia dha identitetin e një Republike dhe një populli që tashmë udhëheq dhe vendosë vetë, ia dha edhe demokracinë dhe në këtë demokraci fitojnë edhe rivalët tanë.
Në këtë përvjetor, i falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha dhe për të realizuar ëndrra. I falemi dr. Ibrahim Rugovës. /InLajmi/