Louis Van Gaal u tërhoq nga drejtimi i kombëtares së Holandës pas eliminimit të “Tulipanëve” në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës.
Tekniku 71-vjeçar pritej t’i jepte fund karrierës së tij në rolin e trajnerit, megjithatë së fundmi mesa duket ekziston një alternativë që do ta bënte Van Gaal të mendohej sërish për tërheqjen e tij.
Fjala është për Portugalinë, me luzitanët që janë në kërkim të një trajneri pas shkarkimit të Fernando Santos.
Vetë Van Gaal nuk e mohon se nëse mbërrin një ofertë nga Portugalia, atëherë do ta merrte seriozisht në konsideratë.
“Jam sërish në pension, por nëse më thërrasin atëherë do ta dëgjoja propozimin. Më shumë se kaq nuk mund të them”, u shpreh Van Gaal, shkruan Super Sport.
Kujtojmë se janë disa emra të njohur që po qarkullojnë si opsione për stolin e kombëtares së Portugalisë duke nisur nga Jose Mourinho (kjo pistë është e ndërlikuar për shkak të kontratës me Romën), si dhe Bruno Lage, ish-trajneri i Ëolverhampton në Premier League me këtë të fundit që preferohet prej marrëdhënieve të mira me lojtarët luzitanë.