Një delegacion i Kosovës dhe një i Serbisë janë takuar ditë më parë në Zvicër, atje ku kanë diskutuar për gjendjen në veri të vendit e dialogun mes Prishtinës e Beogradit.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri përmes një lidhje direkte në emisionin “Politiko” në Kanal10 ka dhënë më shumë informacione në lidhje me atë se çfarë u diskutua në Zvicër.
“Nuk kemi të bëjmë me bisedime sekrete, kemi të bëjmë me një format të bisedimeve. Qeveria zvicerane nga viti 2015 e mbështet një ekip të politikanëve kosovarë lidhur me bisedimet me Serbinë. Ky format është tash e 7 vjet aktiv. Agjenda për takim ka qenë e parapërcaktuar dhe bojkoti ( Bojkotimi i institucioneve nga përfaqësuesit e qytetarëve serbë) nuk ka qenë pjesë e procesit sepse ka ndodhur në ndërkohë e cila ka shkaktuar mosardhjen e ministrit Sveçla në takim. Ministri Sveçla ka qenë pjesëmarrës aktiv në këtë forum që disa vite”, ka deklaruar ai, shkruan Gazeta10
Përkundër që agjenda e takimit ishte caktuar më parë, Haziri ka thënë se kanë kërkuar që barrikadat në veri të largohen.
Tutje ai ka thënë se bojkoti nuk ndihmon në përmbylljen e suksesshme te dialogut mes 2 shteteve.