Tubimi i djathtistëve nga Serbia, më 18 dhjetor, në vendkalimin kufitar me Kosovën, Jarinjë, me sloganin “Lutuni Zotit dhe rrini pas Rusisë”, ishte i 3-ti i tyre brenda një jave.
Para Jarinjës, ata protestuan 2 herë në qendër të Beogradit. Njëra protestë u zhvillua para Presidencës së Serbisë, ku ndodhet edhe kabineti i presidentit Aleksandar Vuçiq.

Në protesta u tha se Kosova është pjesë e Serbisë dhe u kërkua ndërprerja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, i cili zhvillohet që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Protestat u zhvilluan në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku grupe të serbëve lokalë kanë bllokuar rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë qysh më 10 dhjetor.
Barrikadat u ngritën pasi autoritetet e Kosovës arrestuan një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.
Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Serbisë nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për veprimet e grupeve të djathta.
“Vuçiq vazhdon të tolerojë dhe inkurajojë krijimin e opinionit publik antievropian, antidemokratik, për të pasur alibi se pse po blen kohë dhe pse nuk e zgjidh problemin e Kosovës dhe pse nuk vendos sanksione kundër Rusisë]”, thotë Janjiq.
Sipas tij, ky lloj alibie, në fund, “do të jetë pengesë” për Serbinë. Forca e grupeve të djathta nuk duhet nënvlerësuar, thotë ai.
Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun Kosovë-Serbi po përpiqen ta përshpejtojnë procesin, i cili duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes 2 palëve.Serbia, gjithashtu, është duke u përballur me thirrje nga zyrtarë të BE-së që, si vend kandidat për anëtarësim, të ndjekë politikën e jashtme evropiane dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës fqinje.
Kush protestoi në Jarinjë?
Në mesin e njerëzve të mbledhur më 18 dhjetor në pikën kufitare me Kosovën, shiheshin shenjat e disa grupeve të ekstremit të djathtë.
Aty ishte edhe Damjan Knezheviq, udhëheqësi i grupit ultra-djathtist, “Patrulla e Popullit”. Ky grup organizoi edhe një protestë “në mbështetje të serbëve nga Kosova”, më 12 dhjetor në Beograd.
Ky grup i paregjistruar zyrtarisht u bë i njohur për publikun e gjerë në fillim të vitit 2020, kur anëtarët e tij publikuan një video, ku shfaqeshin duke përgjuar dhe kërcënuar migrantë në rrugët e Beogradit.
Që atëherë, ata organizuan disa aksione kundër migrantëve në Serbi, kryesisht në qytetet ku punojnë qendrat për migrantë dhe refugjatë.
Pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit, dhe u përball me sanksione ndërkombëtare, ky grup organizoi edhe disa protesta në mbështetje të Rusisë në Beograd.
Damjan Knezheviq vizitoi Rusinë në disa raste, ndërsa herën e fundit ishte mysafir në qendrën e sapohapur ushtarake-teknologjike të grupit paramilitar “Ëagner” në Shën Petersburg.
Anëtarët e këtij grupi privat paraushtarak luftojnë me forcat ruse kundër Ukrainës. Ata kanë marrë pjesë edhe në luftërat në Siri dhe në disa vende afrikane. Themeluesi i “Ëagner”-it, Yevgeny Prigozhin, është bashkëpunëtor i ngushtë i Kremlinit.
Vizitorët, të veshur me rroba ushtrake, vizitojnë Qendrën Vagner, në Shën Petersburg, gjatë ceremonisë hapëse të kësaj qendre. 4 nëntor 2022.
Në protestën e 18 dhjetorit në Jarinjë ishin të pranishëm edhe anëtarë të grupit të ekstremit të djathtë “Aksioni serb”. Në kanalin Telegram të këtij grupi joformal u publikuan disa fotografi nga ky tubim dhe në njërën prej tyre shihet një person i maskuar me flamurin e “Aksionit serb”.
Në të njëjtën fotografi, një burrë tjetër mund të shihet me një maskë të zezë me një simbol të kryqit kelt në fytyrën e tij, që, me dekada të tëra, është përdorur nga anëtarë të organizatave neo-naziste. Ai burrë kishte edhe një flamur të periudhës së Rusisë cariste.
Fotografitë u shoqëruan me një njoftim, ku thuhej se “patriotët serbë” janë mbledhur “në shenjë solidariteti me vëllezërit dhe motrat që qëndrojnë në barrikada”.
“Aksioni serb” shkruan në ueb-faqen e tij se angazhohet për “ortodoksinë serbe”, si dhe për ruajtjen e “qenies kombëtare dhe të identitetit racor”.
Anëtarët e këtij grupi të paregjistruar morën pjesë në protesta të shumta të ekstremit të djathtë dhe organizuan disa tubime përkujtimore për bashkëpunëtorët e pushtuesve nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
REL ka raportuar më herët se përfaqësuesit e “Aksionit serb” kanë vizituar organizatën militante ultra-djathtiste “Legjioni perandorak”, në Shën Petersburg. Në vitin 2020, Departamenti amerikan i Shtetit e ka cilësuar këtë organizatë si kërcënim global terrorist.
Emri i neo-nazistit rus, Aleksei Michakov, lidhet në mënyrë të besueshme me mizoritë e kryera si në Ukrainë, ashtu edhe në Siri. Fotografi nga arkivi.
Në Jarinjë nuk munguan as shenjat e grupit më pak të njohur të djathtë “Kormilo”.
Siç shihet në rrjetet sociale të këtij grupi, anëtarët e tij, viteve të fundit, kanë organizuar takime me organizata të ekstremit të djathtë nga Italia dhe Franca.
Në videot nga Jarinja shihen edhe anëtarët e grupit të motoçiklistëve “MC Serbët”, të cilët kanë lidhje të ngushta me ultra-djathtistët.
Anëtarët e këtij grupi mbajnë simbolin nazist – kryqin e hekurt – në xhaketat e tyre dhe stemën e kohës kur Serbia ka qenë nën pushtimin nazist.
Sonja Biserko, nga Komiteti joqeveritar i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, thotë se të djathtët kanë qenë një instrument në duart e autoriteteve, gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
“Ata, në njëfarë mënyre, janë nën kontrollin e Qeverisë, nuk janë të pavarur. Megjithatë, kjo sigurisht që mund të dalë jashtë kontrollit”,thotë Biserko.
Me gjithë interesimin e REL-it, Presidenca e Serbisë nuk ishte e gatshme për komente, në lidhje me kërkesat e bëra në protestat e djathtistëve ditëve të fundit, si dhe me vlerësimin e analistëve se grupet e djathta janë nën kontrollin e autoriteteve.
Cilat ishin mesazhet në protestat në Beograd?
“Kosovën do ta tradhtojnë vetëm qyqarët” – me këtë slogan u mbajt një tubim protestues para Presidencës së Serbisë më 16 dhjetor.
Partitë e djathta parlamentare dhe joparlamentare të opozitës në Serbi organizuan tubim bashkëprotestues para ndërtesës së Presidencës, duke kërkuar që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “ta ndryshojë politikën” e Serbisë ndaj Kosovës dhe t’i pezullojë negociatat që po zhvillohen në Bruksel.
Nga kjo protestë u kërkua që negociatat të rikthehen nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Më 12 dhjetor, protesta në “mbështetje të serbëve” në Kosovë u mbajt edhe para kishës së Shën Savës në Beograd dhe u thirr nga organizatat e djathta në Serbi.
Beograd: Protestë në mbështetje të serbëve të Kosovës
Të tubuarit kënduan këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë dhe thirrën slogane, si: “Serbët dhe rusët – vëllezër përgjithmonë” dhe “Nuk ka ndarje, Kosova është pjesë e Serbisë”. Në atë protestë, si dhe në disa të mëparshme, dukej shenja e pushtimit rus të Ukrainës: “Z”.
Biserko thotë se “vazhdimisht ruhet njëfarë tensioni” për të penguar zgjidhjen përfundimtare për Kosovën.
“Kjo gjë, deri diku, u shkon për shtat përfaqësuesve të Qeverisë sonë, por edhe Rusisë, e cila nuk dëshiron që të zgjidhet çështja e Kosovës, dëshiron status quo”,vlerëson Biserko.
Kriza në veri të Kosovës kulmoi kur grupe serbësh bllokuan rrugët më 10 dhjetor, duke penguar qarkullimin drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat u ngritën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-policin serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rrugët në veri mbesin të bllokuara
Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – pas vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.
Deri te braktisja e institucioneve erdhi për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.
Me sugjerimin e BE-së dhe të SHBA-së, zgjedhjet u shtynë për në pranverë të vitit të ardhshëm.