Dhuna në familje në Kosovë, është kthyer në një fenomen shqetësues për shoqërinë kosovare, e kjo dhunë më shumë është e shprehur ndaj gjinisë femërore, por nuk mungojnë rastet sporadike të dhunës ndaj burrave dhe fëmijëve, shkruan InLajmi.
Ndonëse në mënyrë institucionale është bërë përpjekje e vzhdueshme që të parandalohet dhuna në familje por nuk themi se kjo përpjekje ka ndikuar në parandalimin dhe uljen e rasteve të dhunës me theks ndaj gjinisë femërore e me raste edhe ndaj fëmijëve.
Vetëm për periudhën Janar-Nëntor të këtij viti mbi 2.000 raste të dhunës së familjes u regjistruan në Kosovë, e si shkak i kësaj dhune viktimat kryesisht ishin gra e shumë pak burra.
Policia e Kosovës në një përgjgije dhënë për InLajmin, tregoi se brenda këtyre 11 muajve gjithsej janë 2517 viktima të dhunës në familje, prej tyre 2055 gra dhe 462 burra.
Në lidhje me këtë dukuri negative dhe që është në rritje e sipër për InLajmin foli sociologu I njohur kosovar Ferdi Kamberi, i cili tha se dhuna në fakt buron nga vetë shoqëria, ajo është e trashëguar kulturalisht dhe e ka përcjellë shoqërinë kosovare në vazhdimësi.
Kamberi foli edhe për faktorët social që ndikojnë në rritjen e rasteve të dhunës në familje.
“Mungesa e komunikimit brenda për brenda familjes, tolerimi i dhunës dhe vazhdimi i saj në mënyrë sistematike, faktorët socio – ekonomik, papunësia, varfëria, mungesa e pavarësimit të gruas, faktorët individual përfshirë: afektin, xhelozinë, përdorimin e alkoolit, substancave psiko – aktive, motivet e ulëta, depresioni” shtoi tutje Kamberi për InLajmin.
Ndërsa psikologu Arton Ademi për InLajmin, tha se dhuna në familje manifestohet në forma të ndryshme dhe secili rast ka specifikat e veta.
Sipas tij nxitja e dhunës brenda familjes mund të manifestohet nga format më të lehtat e deri ato me fatalitet.
“Shkaqet që dërgojnë në dhunë mund të jenë: mos realizimi i kërkesave brenda familjes, xhelozia mes çiftit bashkëshortor, mos përshtatje e çiftit bashkëshortor, neglizhenca nga njeri bashkëshort, moskujdesi për familje, shpenzimi i mjeteve financiare pa nevojë, abuzimi me alkool apo substanca psiko aktive, etj”, tregoi ai.
Sa i përket pasojave që shkaktohen tek individët që janë të atakuar nga dhuna në familje apo edhe pasojat në rreth më të gjerë psikologu Ademi për InLajmin tha se këto pasoja mund të jenë të ndryshme dhe të manifestohen me lëndime emocionale e psikologjike e mungesë bashkëpunimi.
“Duke u nisur nga më lartë, secili/a person që është i/e prekur nga dhuna në familje mund t’i bart pasojat psikologjike dhe emocionale të cilat shkaktojnë edhe ndryshime në gjendjen e përgjithshme psiko-emocionale e shoqëruar me gjendje stresi, ankthi, dëshpërimi, traume”, shtoi tutje ai.
Tutje Ademi tha se si pasojë e ekspozimit ndaj dhunës, qoftë ajo e shikuar apo edhe e përjetuar ka ndikime negative në zhvillimin dhe formimin e duhur të personalitetit tek fëmijët. Libona Gegaj/InLajmi/