Jordan Pickford e Yassine Bounou nuk arritën ta fitonin Dorezën e Artë në Kampionatit Botëror, pavarësisht se kishin të njëjtin numër të ndeshjeve pa pranuar gol, sikurse edhe fituesi Emiliano Martinez.
Të 3 portierët arritën ta mbajnë portën e paprekur në 3 ndeshje gjatë turneut në Katar.
Martinez pranoi mbi dyfishin e numrit të golave në krahasim me portierin e Evertonit, por iu dha çmimi pas një rishikimi nga Grupi i Studimeve Teknike të FIFA-s, i kryesuar nga ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger.
Duke pasur statistika të përafërta edhe me Yassine Bounou të Marokut, i cili gjithashtu pati 3 ndeshje pa pranuar, vendosja e fituesit të çmimit Doreza e Artë u diskutua nga paneli i ekspertëve.
Ai përfshinte një numër ish-profesionistësh dhe trajnerësh, si Jurgen Klinsmann, Alberto Zaccheroni, Cha Du-Ri, Sunday Oliseh, Faryd Mondragon dhe Pascal Zuberbuhler.
Për më tepër, grupi u mbështet nga një ekip analistësh, inxhinierësh të dhënash dhe shkencëtarësh për të marrë vendimin më të mirë dhe në fund vendosën ta shpallin fitues portierin argjentinas.
Gardiani i Aston Villas u bë heroi i kombit të tij pas një sërë pritjesh të shkëlqyera në raundet e eliminimit dhe në ekzekutimin e penalltive. Kjo përfshinte pritjen e tij të madhe në minutën e fundit për t’ia mohuar Randal Kolo Muani në finale dhe për ta zvarritur lojën në penallti, dhe pastaj u tregua vendimtar.
Në rast të situatës së barabartë (si këtë herë), për ndarjen e çmimit në edicionet e mëparshme janë marrë parasysh një numër faktorësh, shkruan Telegrafi.
Së pari, sa larg kishte përparuar portieri në turne. Më pas do të pasohej nga sa pritje kishin bërë dhe minutat e luajtura, dhe në të gjitha këto, pa konkurrencë ishte Martinez.