Është ky një libër që do të jetë në dobi të shumëfisht për studiuesit e letërsisë tek ne, për studentët si dhe për profesorët e letërsisë të Universiteteve dhe kolegjeve tona, shkruan InLajmi.
Që nga viti i largët 1968, (të shekullit të kaluar), në revistën atëherëshme shkencore e kulturore “Fjala” të Prishtinës, Prof Anton Berisha, botoi punimin; “Analogji e porosive të fantazmave”, duke i krahasuar porositë e fantazmave të tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit dhe të “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit. Kurse deri në fund të viteve të 90-ta, ka shkruar edhe për disa vepra mbi letërsinë kroate, serbe dhe malazeze.
“Në 20 vjetet e fundit, sidomos gjatë kohës kur punoja në Universitetin e Kalabrisë në Itali, botova një varg punimesh e parathëniesh për vepra të letërsisë italiane dhe franceze, mes tyre dhe një studim. – tha për InLajmin, Prof. Antoni – Në këtë libër më të ri, i kam përfshirë vetëm ato punime – interpretime që vështrojnë disa nga veprat më të njohura të artit të fjalës në rrafshin botëror, që siç cilësohen edhe nga studiuesit më të shquar, sikur që janë kryevepra poetike; “Epi i Gilgameshit”, “Pslamet”, “Gjeorgjikat” e Virgjilit, “Kënga e këngëve”, “Silvia” e Nervalit, “Princi i vogël” i Ekzyperisë, “Manteli” i Gogolit, “Sytë e vëllait të përjetshëm” të Cvajgut, “Histori të mërzitshme” të Çehovit etj”.
Të theksojmë se këto punime – interpretime janë fryt i një pune disa vjeçare, i leximeve, i qasjeve dhe i mënyrave të ndryshme të qasjes dhe të veçimit të cilësive poetike të teksteve të veprave përkatëse, nga ana e prof. Anton Berisha. Vetëm leximi i vëmendshëm dhe i disa hershëm, njësimi shkallë- shkallë me tekstet dhe me kumtet poetike që dilnin prej tyre, bëri të mundur komunikimin e duhur të autorit me to, dhe ndriçimin e vlerave shprehëse poetike të mirëfillta që i cilësonin. Kështu edhe këto ditë duke hedhur dritë mbi dritën e kryeveprave botërore, doli në dritë vepra e tij studimore; “MBI DISA KRYEVEPRA TË LETËRSISË BOTËRORE”. Osman GORANCI/InLajmi/