Kryeqyteti i Kosovës për fundvit ka marrë një pamje të mahnitshme nën reflektimin e dritave shumëngjyrëshe e dekoreve të shumta festive, kurse e veçanta e këtij viti padyshim se mbetet pjesa e re e shndërruar në shesh, në rrugën “Xhorxh Bush”, shkruan InLajmi.
Në këtë pjesë gjithçka duket e përkryer që nga pemët ndriçuara, shtëpizat “lokale” ambulante që ofrojnë shërbime të ndryshme nga fusha e gastronomisë dhe e gjithë kjo po pëlqehet nga qytetarët e shumtë që shëtisin në këtë pjesë pa u munguar edhe pijet e ngrohta që shpërthejnë gëzimin, humorin e tyre duke shijuar ditët e fundit të vitit.
Madhështore qëndron në gjithë këtë mrekulli festive Katedralja e Prishtinës, aty ku edhe fillon gëzimi, ngarendja e qytetarëve përgjatë shesheve të tjera, tek sheshi “Zahir Pajaziti, “Nënë Tereza”, “Skënderbeu” e deri tek ai i fundit, sheshi “Ibrahim Rugova”.
Por, nga e gjithë kjo atmosferë festive që madhështinë e sjell ndriçimi vezullues me koloritin e dritave festive, ajo që bie në sy e padyshim ngredhesh fytyrat e qytetarëve derisa kalojnë përgjatë sheshit “Zahir Pajaziti”, sepse mu ajo pjesë është e mbuluar nga “terri” dimëror i hijezuar edhe mbi shtatoren e madhërishme të Heroit Kombëtar Zahir Pajaziti.
Nuk e di pse kjo pjesë ka mbetur e “errët”, derisa ky hero dritëroi jetën tonë e i cili sypatrembur doli përballë padrejtësive dhe shtypjes së shqiptarëve atë kohë kur ne të tjerët heshtëm.
Ka mbetur në “terr” me dashje apo pa dashje, por duket sikur duam të “heshtim” madhështinë e luftëtarit të guerilës me forcat armike.
Pse ka mbetur në errësirë e nuk është ndriçuar fytyra dhe luftëtarit të patrembur, atij që i dha dritë e rrugëtim luftës për lirinë e Kosovës?Për mungesën e ndriçimit në hapësirë përreth shtatores së Zahir Pajaziti, InLajmi ka kontaktuar zyrtarët e Komunës së Prishtinës, të cilët mungesën e ndriçimit e kanë arsyetuar me ndryshimet në kontratën për ndriçimin e hapësirave publike.
Sipas zyrtarëve, në sheshin “Zahir Pajaziti” tani për tani mungon ndriçimi publik, por nuk mungon dekorimi për festat e fundvitit, sepse në këtë projekt festiv është përfshirë edhe sheshi i lartcekur.
Tutje theksojnë zyrtarët komunal se fatkeqësisht në atë pjesë aktualisht ka problem me ndriçimin publik për shkak të ndryshimit të tipit të llambave ndriçuese.
“Dekorimi është në rregull dhe i vendosur në Sheshin “Zahir Pajaziti” mirëpo mund të paraqiten probleme teknike. Sa i përket ndriçimit publik jemi në pritje të një kontrate për zëvendësimin e dritave të thjeshta me ato të ashtuquajtura drita “LED”, thuhet në përgjigjen me shkrim për Gazetën InLajmi nga Drejtoria për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës.
Ngritja e çmimeve të energjisë dhe të njëjtën kohë mungesa e energjisë ka ndikuar që sheshi i lartcekur të mbetet pa drita, pasi po pritet që dritat aktuale të zëvendësohen me LED dhe deri në zëvendësimin e kontratës kjo hapësirë do vazhdoi të mbetet në errësirë, ndryshe nga sheshet tjera të ndriçuara.ArjanitaOsmanaj/InLajmi/