Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu reagoi pas dënimit të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, përcjell InLajmi.
Këtë dënim Aliu e cilësoi si të pamerituar dhe të rëndë, duke shtuar se kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë.
Aliu tregoi se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend dhe këto ditë po kuptohet sipas tij se kjo parti kishte të drejtë.
Ministri i Mjedisit tutje kërkoi liri për çlirimtarin pasi sipas tij Mustafa tërë jetën e vuri në shërbim të luftës për liri.
Postimi i plotë i tij:
Sot mori një dënim të rëndë dhe të pamerituar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali, i cili luftoi për çlirimin e vendit nga pushtimi serb. Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim të drejtë. Plot 26 vite dënim, për njeriun i cili i doli në mbrojtje vendit të tij. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë.
Lavdi luftës së pastër e të shenjtë të UÇK-së.
Liri për çlirimtarin, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të luftës për liri! Liri për komandant Calin!/InLajmi/