Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare, përcjell InLajmi.
Ministri Docherty shprehu interesimin e tij rreth situatës në lidhje me sektorin e energjisë, si dhe perspektivën e Kosovës në kuadër të zhvillimit ekonomik.
Bislimi e informoi ministrin Docherty mbi situatën e krijuar në Kosovë nga kriza energjetike që ka kapluar Evropën, si pasojë e efekteve të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Bislimi theksoi se sot gjithashtu është miratuar Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, në mbledhjen e 113-të të Qeverisë.
Ministri Docherty ofroi ndihmën e Britanisë, në mbështetje të sektorit të energjisë dhe arritjes së qëllimeve veçanërisht në energjinë e ripërtëritshme. Sa i përket zhvillimit ekonomik, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Docherty rreth resurseve dhe potencialeve që vendi ynë ofron, sidomos për investitorët e huaj në sektorin e IT-së e cila po njeh hov mjaft të madh dhe ka hapësirë të ketë zhvillim të përshpejtuar. /InLajmi/