Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar me 26 vjet burgim komandatin Sali Mustafën, i njohur me nofkën “Cali”, shkruan InLajmi.
Në mesin e reagimeve të ashpra për dënimin që mori Mustafa, është edhe ish-komandanti i UÇK-së Hisen Berisha, i cili në një prononcim për Gazetën InLajmi, thotë se i tërë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve në Hagë është i padrejtë.
Sipas tij, Gjykata Speciale po tenton të barazojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me agresorin serb.
Tutje ai thotë se bashkësia ndërkombëtare nuk po do t’i cilësojë si gjenocid krimet serbe në luftën e Kosovë.
“Unë e konsideroj të padrejtë komplet procesin gjyqësor që po mbahet ndaj ushtarëve të UÇK-së. Kjo është një tendencë me tërheq paralele mes UÇK-së dhe agresorit serb. Njerëzit po harrojnë që lufta ka ardhur si rezultat i padurimit ndaj dhunës dhe presionit që ka bërë Serbia në atë kohë. Por përkundër këtij fakti bashkësia ndërkombëtare nuk po do me cilësuar si të tillë, pra ajo ka qenë gjenocid, që është përmbyllur me një luftë, ku ka pasur krime lufte dhe kundër njerëzimit, ku edhe kanë luftuar djem të pastërvitur e të paedukuar në fushën ushtarake, që e kanë sjellë një armatim në krah nga Shqipëria dhe kanë provuar të bëjnë rezistencë sepse ka qenë zgjidhja e fundit mos me qëndruar të poshtëruar nga Serbia”.
Për më tepër Berisha drejtësinë ndërkombëtare e quan turp, sepse siç thekson ai, drejtësia në Hagë është e bazuar në një raport pretendues të Dick Martyt dhe aktakuzat e ngritura janë shpifje nga Beogradi dhe Prokuroria e Serbisë me pretendimet ruse.
“E tash me ardhë situata me bë gjyqe të tilla, duke tentuar me barazuar UÇK-në me armatën jugosllave është drejtësia më e turpshme dhe do të mbetet turpi i ndërkombëtareve. Haga ka filluar me pretendimet e raportit të Dick Martyt. Asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj atyre pretendimeve. Shumica e aktakuzave që janë sot në Hagë janë të stisura nga Beogradi, nga shërbimet serbe dhe prokuroria serbe dhe pretendimet ruse”.
Ish-komandanti akuzon Prokurorinë Speciale në Hagë, se ka paguar shuma të mëdha parash për manipulimin e dëshmitarëve kundër ish-krerëve të UÇK-së dhe në këmbim sipas Berishës, këta dëshmitarë i ka dërguar jashtë vendit dhe ua ka ndërruar identitetin.
“Ne po flasim për një prokurori që po e keqpërdorin, si dhe ka paguar shuma të mëdha parash për të manipuluar njerëz për të bërë deklarime. Ka pasur inçizime duke manipuluar me njerëz, të cilët kanë pasur nevojë me dalë jashtë vendit me familje, ua kanë ndërruar indentitetin dhe i kanë bërë si të mbrojtur dhe i kanë nxjerrë jashtë shtetit. Domethënë njerëzit kanë përfituar nga kjo, pa pasur fakte vetëm kanë dhënë dëshmi”, tha ai për InLajmin.
Ndryshe, Sali Mustafa është shpallur fajtor për torturim, trajtim mizor dhe vrasje të të ndaluarve në kompleksin e BIA-s, ku ai ishte udhëheqës. /InLajmi/