Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë me gazetarët nga Praga, ku dorëzoi zyrtarisht dokumentin e aplikimit të anëtarësimit në BE të Kosovës, u pyet nga gazetari i A2 CNN se cili është mendimi i tij pas deklaratave të Aleksandër Vuçiç në lidhje me këtë aplikim.
Presidenti serb ka paralajmëruar që nëse Kosova aplikon do të ndërmerrte disa masa, përfshi dërgimin e kërkesave te disa vende për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kurti u shpreh se Kosova dhe Serbia janë 2 shtete të ndryshme, të cilat duhet vetëm të normalizojnë raportet mes tyre dhe kjo duhet të bëhet nëpërmjet njohjes së ndërsjellë, si e vetmja rrugë për të ecur përpara.
“Ne jemi dy shtete fqinje që kanë nevojë t’i normalizojnë raportet mes tyre dhe kjo duhet të shkojë nëpërmjet njohjes së ndërsjellë. Ne duam të ecim përpara, ndërsa Beogradi fatkeqësisht kërkon të kthehet në të kaluarën” theksoi kryeministri i Kosovës.
Sipas Kurtit, kthimi në të kaluarën nuk është i mundshëm as fizikisht dhe as politikisht, ndërsa shtoi se, duke u përpjekur që të kthejë Kosovën në të kaluarën, Serbia nuk po bën gjë tjetër veçse po ngelet vetë në vendnumëro.
“Kthimi në të kaluarën nuk është i mundshëm, as fizikisht dhe as politikisht. Duke u përpjekur ta kthejë Kosovën në të kaluarën, ajo që po bën Beogradi është që po ngelet vetë në të kaluarën” potencoi kryeministri Kurti.
Këto deklarata ai i bëri pas dorëzimit të aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
