Krizat politike dhe konfliktet kudo që ndodhin, sikur prishin edhe balancin e ekonomik në gjithë botën. Prandaj edhe në rastin e lëvizjes së çmimeve të naftës në gjithë botën varet nga disa parametra sikur që është çmimi bruto i naftës në tregun botëror, kursi i këmbimit të dollarit amerikan dhe nxjerrja e rafinimi i naftës, shkruan InLajmi.
E kur flasim për vitin që po lëmë pas, 2022, të gjitha këta parametra nuk kanë qenë të qëndrueshëm dhe krejt kjo për shkak të luftës në Ukrainë, ku si pasojë kemi ngritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore.
Ndryshimet e çmimit të naftës dhe derivateve të saj në tregjet ndërkombëtare patjetër se ndikojnë në rritjen e çmimit në gjithë botën dhe nga kjo rritje padyshim se është prekur edhe Kosova.
Kuptojmë arsyen e rritjes së çmimit të naftës dhe derivateve të saj në Kosovë, por si mund të arsyetojmë dallimin e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj brenda vendit nga komuna në komunë, madje edhe dallime në çmimeve edhe brenda një komune.
Pra çmimet e naftës në Kosovë ndryshojnë nga vendi në vend nga komuna në komunë dhe nuk janë të harmonizuara. Kështu në komunat Skenderaj, Ferizaj dhe Gjilani, çmimi i naftës është 1.36 euro në disa pika, kurse e në disa të tjera çmimi vazhdon të mbetet 1.49. Kur flasim për ndryshimet e çmimeve të naftës në kryeqytet gjithashtu flasim për dallimet nga pika e një karburanti në pikën tjetër. Kështu në disa pika në Prishtinë çmimi i naftës për litër është duke filluar nga 1.43 euro, për të kaluar në pikës tjetër të karburantit ku një litër naftë kushton 1.47 euro kurse në disa pika ky çmim është për 3 cent me shtrenjtë saktësisht 1.50 euro.
Dallimet në çmimin e naftës brenda Kosovës sipas zyrtarëve nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, është i arsyeshëm meqë tregu është i liri dhe operatorët e fushëveprimtarive të caktuara vendosin së bashku për çmimet e produkteve të tyre.
“Sa i përket çështjes së çmimeve të derivateve të naftës, ky treg në Kosovë është i liberalizuar dhe ndërmarrjet që operojnë në tregun relevant janë plotësisht të lirë të vendosin çmimet sipas politikës së tyre të biznesit”, thuhet në përgjigjen zyrtare për InLajmin nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Ndërkohë nga Autoriteti i Konkurrencës theksohet se lëvizja e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj janë të lidhur me disa parametra që në fakt përcaktojnë çmimin.
“Lëvizja e çmimeve të produkteve të naftës është e lidhur ngushtë me një numër parametrash kryesorë që janë të njëjtë për të gjitha ndërmarrjet. Këto janë para së gjithash, çmimi i naftës bruto në tregun botëror, kursi i këmbimit të dollarit amerikan si monedhë këmbimi, nxjerrjes dhe rafinimit të naftës. Këto parametra kanë qenë shumë të paqëndrueshëm gjatë viti 2022 si rezultat i luftës në Ukrainë”, thuhet tutje në përgjigjen me shkrim për InLajmin nga Autoriteti i Konkurrencës.
Edhe për dallimet e çmimeve të naftës e derivateve të saj nga komuna në komunë, nga Autoriteti i Konkurrencës theksojnë se ato janë të përcaktuara nga ndërmarrjet e naftës që operojnë si importues në Kosovë dhe nuk ka ndërhyrje nga institucioni i tyre.
Ligjërisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë vetëm në rastet kur çmimet e naftës janë të tepërta apo grabitqare dhe vetëm në rastet ku një ndërmarrje dominon me çmime mbi të tjerat.
“Kur bëhet fjalë për çmimet e derivateve në tregun e Republikës së Kosovës, komunat Autoriteti mund të reagojë vetëm nëse bëhet fjalë për çmime të tepërta, grabitqare dhe atë vetëm kur ndërmarrja apo ndërmarrjet, kanë një pozitë dominuese ose pozitë dominuese kolektive, në atë treg përkatës”, theksohet në përgjigjen me shkrim nga Autoriteti i Konkurrencës.
Rasti tjetër kur evidentohet rritje e e çmimit të naftës si rezultat i marrëveshjes eksplicite përmes formës së kartelit-marrëveshjes së ndaluar, atëherë Autoriteti i Konkurrencës mund të ndëhyrë.
“Gjithashtu, Autoriteti do të reagonte, në rast se tregtarët, ndërmarrjet e derivateve të naftës në tregun përkatës, veprojnë në mënyrë të koordinuar, pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo praktikës së bashkërenduar.Në këtë kontekst, AKRK-ja brenda kompetencave të saj, monitoron situatën në tregun e produkteve të naftës dhe nëse vëren ndonjë parregullësi, do të reagojë sipas detyrës zyrtare”, sqaron Autoriteti i Konkurrencës në përgjigjen me shkrim për InLajmin.
Për dallimet e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj nuk mund të ndërhyjnë as edhe nga Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë. Ajo çfarë është bazë ligjore e ministrisë është caktimi i marzhës tregtare më të lartë të shitjes me shumicë dhe shitjes me pakicë.
“ Nëse ju referoheni vendimeve të MINT, për përcaktimin e çmimeve, në to ceket marzha tregtare më e lartë është 0.02 € për shitje me shumicë, ndërsa për shitje me pakicë çmimi maksimal është 0.12 € dhe nuk përcaktohet vendosja e çmimeve të njëjta”, thuhet në përgjigjen me shkrim për InLajmin nga MINT.
Ndryshe, MINT nxjerr vendime duke u bazuar në raportet dhe të dhënat/evidencat nga organet kompetente, Inspektorati i Tregut, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës.
Nuk mund të interferohet në çmimet e naftës, pavarësisht dallimeve, bëjnë të ditur edhe përfaqësues nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.
Sipas tyre, çmimet e naftës dhe derivateve të saj në treg janë të ndryshme, sepse Kosova është treg i lirë dhe çmimi përcaktohet mbi bazën e ofertës dhe kërkesës.
Drejtori i Shoqatës së Naftëtarëve Fadil Berjani, tha për InLajmin se Kosova është treg i hapur, konkurrenca është e e lirë dhe nuk mund të përcaktohet çmimi i njëjtë për të gjithë operatorët.
“Çmimet e naftës dhe derivateve të saj në tregun e Kosovës janë të ndryshme dhe ato përcaktohen mbi bazën e ofertës dhe kërkesës”, tha Berjani për InLajmin.
Berjani sqaron se çmimi i naftës në Kosovë ndryshon varësisht nga çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe në berza.
Ai bëri të ditur se aktualisht çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka rënë dhe kjo reflekton edhe në rënien e çmimit të naftë edhe në vendin tonë.ArjanitaOsmanaj/InLajmi/