Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas nënshkrimit të dokumentit për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, ka thënë se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, raporton InLajmi.
“Bazuar në aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik dhe konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë”.
Kurti e ka cilësuar si moment historik aplikimin e Kosovës në BE.
“Aplikimi në BE i nënshkruar sot nga krerët e Republikës tonë, do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Ky është moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë”.
Tutje kryeministri ka theksuar se shpejtësia e anëtarësimit në BE varet nga Kosova, por që premtoi se pengesat dhe sfidat do të kalohen me progres shoqëror.
“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Ne do të ecim përpara me meriton tonë, me aftësitë tona për t’i përmbushur kriteret. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”. /InLajmi/