Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami tha se gënjeshtrat skandaloze të Borrellit dëshmojnë se procesi gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së është i politizuar, përcjell InLajmi.
Behrami theksoi se ish-presidenti Thaçi nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar pasi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit.
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit tha se Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i Bashkimit Evropian, por i Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Gënjeshtrat skandaloze të Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!
Pra, është vetëdorëzuar, pasi ka dhënë dorëheqje. Ai nuk është duke u mbajtur në Amsterdam, por në Sheveningen të Hagës.
Por, sa për dijeni të z. Borrell, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës. Ndoshta ai e ka pasur fjalën për Prokurorinë, e cila është shndërruar në mekanizëm të BE-së për shantazh ndaj Kosovës dhe për ndryshim të historinë së Kosovës. Ligjërisht, as Prokuroria nuk është mekanizim i BE-së, por praktikisht po.
Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit.
Borrell për gënjeshtrat, për ndikimin politik në procesin gjyqësor kundër liderëve të UÇK-së./InLajmi/