Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, gjatë ditës së mërkurë, kanë firmosur dokumentin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan InLajmi.
Por ajo çka përbën çështje në vete është miratimi ose jo i kësaj kërkese nga 5 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Andaj kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në BE, pavarësisht mosnjohjes nga këto shtete po cilësohet si rast i pashembullt apo “sui generis”, pasi deri tash secili shtet që ka synuar statusin kandidat, së paku ka qenë i njohur nga shtetet e BE-së.
Kështu mendon politologu Dorajet Imeri, i cili në një prononcim për Gazetën InLajmin thotë se aprovimin e kërkesës së Kosovës pa i siguruar të gjitha njohjet nuk e shpjegon as literatura e BE-së.
“Të drejtën për aplikim e ka secili shtet. E rëndësishme është se Kosova tregon orientim strategjik përmes këtij aplikimi, në kohën kur fqinji i saj verior, Serbia, ka veprime politike që bien ndesh me vlerat perëndimore. Prandaj me pozicionin strategjik, Kosova, si e kundërta e këtij qëndrimi duhet të riafirmojë edhe një herë se është e gatshme për t’u anëtarësur në një organizatë, vlerat e së cilës janë demokracia, zhvillimi dhe barazia”.
Politologu Imeri thekson se Kosova është larg nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por që sipas tij, ky aplikim tregon më shumë për orientimin strategjik të Kosovës.
“Shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës mund të pengojnë ose jo pranimin e kërkesës e Kosovës. Por ky rast i mosnjohjes së Kosovës nga këto shtete përbën “rast të pashembullt” sepse deri tash një shtet kandidat që ka aspiruar të pranohet në Bashkimin Evropian ose ka paraqitur aplikimin së paku ka qenë i njohur. Pranimi i kërkesës për aplikim nuk mund të refuzohet në parim, ai mund të vonohet ose mund të mos i jepet kandidatura, por literatuara nuk shpjegon se si të veprohet me shtetin që nuk është njohur prandaj është rast “sui generis” rast i pashembulltë”.
Njësoj mendon edhe profesor i Departamentit të Shkencave Politike Afrim Hoti, i cili thekson se procesi i zgjerimit të BE-së nuk ka pasur praktika të tilla për vendet që nuk kanë pasur njohje të plota, prandaj sipas tij ky aplikim përbën “konfuzitet”.
“Parimisht deri më tash procesi i zgjerimit nuk ka pasur një praktikë të tillë, që entitetet të cilat nuk kanë njohje nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të bëhen pjesë e bllokut. Mbi këtë bazë, situata është paksa konfuze dhe varet shumë nga ajo se çfarë pozicioni do të mbajnë ato shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën deri tash. Se sa janë gjasat që Kosova të bëhet pjesë e BE-së varet nga këto shtete”.
Hoti përmend problematikat që Kosova mund të hasë në anëtarësimin në BE, siç janë njohja e ndërsjellë me Serbinë dhe mosnjohja nga 5 shtetet të BE-së.
“Ne përpos problematikave që të gjitha shtetet janë përballur, siç janë reforma në administratë, krimi dhe korrupsioni, ne kemi edhe 2 problematika të tjera. E para bashkëpunimin rajonal, pra e kemi shumë problematikë raportin dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë dhe e dyta mosnjohja nga 5 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Prandaj kjo mosnjohje mund ta penalizojë ose ta mbajë pezull aplikacionin tonë për BE”.
Nga ana tjetër, profesori universitar Muhamet Kelmendi lidhur me kohëzgjatjen e marrjes së statusit kandidat për Kosovën, vlerëson se ky proces mund të zgjasë 5 deri në 20 vjet, por që siç thekson ai, së pari duhet të plotësohen disa kushte kryesore.
“Marrja e statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian do të zgjatsë 5 e deri ne 20 vjet, mundet edhe me gjatë. Për t’u pranuar Kosova duhet të plotësojë këto kushte: 1. Marreveshja me shtetin serb, duke i zgjidhur konfliktet dhe fërkimet ndërshtetërore, 2. Zgjidhja e çështjes së stabilizimit të brendshem, pozita e minoriteteve, 3. Njohja e shtetit të Kosovës nga 5-ja e BE-se, 4. Lufta kunder krimit dhe korrupsionit, 5. Zhvillimi i demokracisë plurale. 6. Shteti i së drejtes dhe shumë çështje të tjera, të cilat do të dalin në dritë gjatë rrugës për të marrë statusin e kandidatit Kosova”, tha ai për InLajmin.
Edhe njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane Taulant Kryeziu, thotë se procesi i integrimit të Kosovës në BE nuk mund të bëhet me sukses pa disa faktorë kyç, siç janë vullneti i fortë politik për të bërë reforma të dhimbshme politike, ndërtimi i administratës profesionale të aftë për për të mbështetur nivelin politik, si dhe diplomacia efektive për të mbështetur procesin integrues të Kosovës.
Ndryshe, edhe Bosnja dhe Hercegovina, ashtu si Kosova kishte aplikuar ditë më parë për statusin kandidat në BE, dhe ky aplikim i rezultoi me sukses, pasi iu miratua nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian. Shqipe Vishaj /InLajmi/