Policia e Kosovës këtë të martë ka njoftuar se situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave, përcjell InLajmi.
Policia e Kosovës, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me kohë ndërmerr masat e sigurisë, masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë.
Policia e Kosovës e bazon punën në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime, andaj spekulimet e vazhdueshme nga mediat, kryesisht serbe, se gjoja zyrtarët policorë në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta. /InLajmi/