Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk parasheh vendosjen e administratorëve nëpër komunat veriore, deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në pranverë, raporton InLajmi.
“Me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale nuk parashihet mundësia e vendosjes së administratorëve nëpër komuna. Këtë të drejtë e ka vetëm Ministria e Financave dhe vetëm në rastet kur atakohet buxheti. Jemi në koordinim me zyrtarë të ndryshëm të komunave që të ofrohen shërbimet dhe të gjitha shërbimet që janë kompetenca të deleguara të komunave, është në planin tonë që këto shërbime të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe deri sot nuk kemi asnjë ankesë”, ka thënë Krasniqi.
Këto deklarata Ministri Krasniqi i bëri në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ditën e martë./InLajmi/