Policia e Kosovës të shtunën njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, përcjell InLajmi.
Sipas Policisë së Kosovës, kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi që serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.
Po ashtu Policia pas bllokimit të 2 pikave kufitare ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.
Njoftim i plotë i Policisë së Kosovës:
Bazuar në vlerësimet policore, po ashtu si masë paraprake e sigurisë, përderisa ka disa bllokime edhe në rrugën në drejtim të Pikës Kufitare Bërnjak, Policia e Kosovës tani ka mbyllur përkohësisht për qarkullim edhe këtë pikë kufitare.
Meqë tani 2 Pikë Kalimet Kufitare në veri të vendit janë mbyllur për qarkullim si pasojë e barrikadave të vendosura, ftohen qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim. /InLajmi/