Policia e Kosovës të premten ka dalë me detaje rreth ngjarjeve të fundit në veri, ku sipas tyre situata vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme por e përcjellë me incidente të natyrave të ndryshme, ku individ apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore, përcjell InLajmi.
Polica njoftoi se përkundër incidenteve dhe sulmeve të tilla të drejtuara ndaj institucioneve me mjete shpërthyese, sulmit ndaj zyrtarëve policorë siç ishte rasti i mbrëmshëm “Vrasje e Rëndë në Tentativë dhe Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” si dhe rasti i ndodhur sot “Kanosje” ndaj dy gazetarëve të mediumit Kallxo.com, ajo do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Tutje Policia njoftoi se është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në veprat e tilla kriminale si dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë. /InLajmi/