Koordinator i Departamentit për Rend, Ligj dhe Siguri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëmb Manaj në emër të partisë ka reaguar pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, raporton InLajmi.
Sipas Manajt më e mira e punës do të ishte dorëheqja e ministers së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e nese ajo nuk largohet vet atëherë duhet të jetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai i cili e shkarkon atë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që zhdukja e mostrave të Astrit Dehari nga laboratori të IML-së që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është super skandal dhe akti i shëmtuar kriminal. Ky rast tregon më së mirë gjendjen në të cilën është katandisur Ministria e Drejtësisë dhe institucionet vartëse të saj. Ministrja e Drejtësisë është e paaftë që të drejtojë këtë ministri dhe të udhëheq procesin e reformave në drejtësi. Prandaj, dorëheqja e ministres së Drejtësisë është minimumi i përgjegjësisë së saj në këtë rast dhe në shumë raste tjera parapake”, tha Manaj.
Manaj tha se nuk duhet të pezullohen vetëm zyrtarët pasi ky do të quhej mbulim i përgjegjësive politike e institucionale por e vetmja që duhet të largohet nga detyra është Haxhiu, e cila sipas tij duhet të jap dorëheqje qysh sot.
“Nuk mjafton pezullimi i zyrtarëve të IML-së, ky është një veprim me antë të të cilit mundohet të mbulohet përgjegjësia politike dhe institucionale e ministres së Drejtësisë. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, nëse nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme e ftojmë kryeministrin Kurti që ta shkarkojë atë në rast se nuk e shkarkon e konsiderojmë bashkëpërgjegjës në këtë rast të zhdukjes së mostrave”, theksoi ai./InLajmi/