Kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës ka folur për gjendjen në veri. Ai ka thënë se Policia e Kosovës dhe organet e sigurisë së vendit asnjëherë nuk i ndjekin njerëzit në baza etnike apo fetare, por gjithmonë në bazë të sjelljeve dhe veprimeve të tyre individual, raporton InLajmi.
Ai shtoi se Policia e Kosovës ka konsideratë të shtuar për serbët e Kosovës.
“Policia e Kosovës, organet e sigurisë asnjëherë nuk ndjekin, përndjekin ndokënd në baza etnike, fetare apo të tjera. Por vetëm sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale. Policia e Kosovës kurrë nuk është e nxitur, orientuar kundër serbëve. Përkundrazi ajo ka një konsideratë shtesë për serbët e Kosovës, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që bëhen nga fqinji ynë verior”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës është në koordinim të plotë me ndërkombëtarët, por nuk mund t`i trajtojnë ata në një nivel më të lartë se sa vetën, sepse vet ndërkombëtarët presin që udhëheqësit e shtetit të Kosovës të sillen konform funksionit që kanë.
“Është e rëndësishme që e vërteta të jetë publike dhe konfrontohemi me të gjithë ata që e shtrembërojnë atë. Ndoshta ka edhe ide të tjera se çfarë duhet të bëjmë më shumë, por asessi të bëjmë më pak. Kemi bashkëpunim me ndërkombëtarët. Edhe ata presin që të jemi në krye të detyrës. Qeveritë shkojnë, por shteti mbetet. Andaj bashkërendimi me ndërkombëtarët nuk mund të bëhet në formën kur na i trajtojmë ata si ministra e na të bëhemi si zëvendësministra” shtoi ai.
Tutje, Kurti theksoi se pavarësisht të gjithave, Kushtetuta i obligon të kryejnë detyrimet ligjore, duke ju referuar largimit të 4 kryetarëve serbë nga komunat veriore.
“Mirëpo në të njëjtën kohë kemi obligime që dalin nga Kushtetuta. Kur japin dorëheqje kryetarët e katër komunave në veri, ka pastaj obligime ligjore. Gjithashtu ka obligime për zyrtarë të shtetit. Presidentja duhet të konsultojë krerët e partive, të caktojë një datë. Nuk janë vendim dhe veprime politike, janë veprime dhe vendime shtetërore që parashihen me ligj”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për të ndarë serbët e Kosovës nga shqiptarët, ata nuk po ja dalin ta realizojnë këtë. E tani po përpiqen t`i ndajnë serbët në serbë të veriut dhe serbë të jugut.
Kurti tha se serbët e Kosovës nuk po u bashkohen bandave kriminale të Serbisë.
“Natyrisht që unë plotësisht e njohë të drejtën për kritikë ndaj qeverisë dhe kryeministrit. Por duhet të kuptoni që gjithçka që po ndodh është për shtetin e Kosovës. Jemi në shërbim të kushtetutës dhe ligjit. Kurrë nuk i barazoj serbët, pavarësisht se çfarë bëjnë e thonë. Beogradi e ka kuptuar që s’po mund t`i ndajë serbët dhe shqiptarët, s’po arrijnë t’i ndajnë në serbë dhe shqiptarë. Dhe tani po bëjnë përpjekje të ndajë në serbë në veri dhe serb në jug. Por as kjo nuk është e mundur. Serbët s’po iu bashkohen bandave kriminale” përfundoi Kurti.
Këto deklarata Kryeministri i Kosovës i bëri në seancën plenare të kuvendit, që po mbahet për shqyrtimin e Projektligjit për Pagat në sektorin publik./InLajmi/