Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se Qeveria e Kosovës për çdo hap të ndërmarrë në veri është dashur që të konsultohet me SHBA-të dhe BE-në.
Musliu-Shoshi në një prononcim për Ekonomia Online vlerëson se presidentja Vjosa Osmani e ka në dorë që të bëjë edhe anulimin e zgjedhjeve në veri të vendit.
Madje ajo thotë se është përgjegjësi e institucioneve çdo incident i ndodhur në atë pjesë.
“Vlerësoj që qeveria është dashur të konsultojë institucionet e sigurisë paraprakisht edhe me aleatët tanë, pra SHBA-të dhe BE-në” tha Muslilu-Shoshi.
Ajo tha se vendimin për zgjedhjet në veri e ka në dorë Presidentja Osmani, e cila edhe mund t`i anulojë ato, sepse qeveria është e detyruar të ofrojë siguri fillimisht.
“Poashtu vendimin për zgjedhje e ka presidentja, e cila e ka në dorë të bëjë anulimin e zgjedhjeve. Ata janë të detyruar të ofrojnë siguri në atë pjesë”, përfundoi ajo.