Pas incidenteve që nisën më 6 dhjetor në veri të Kosovës, nuk dihet ende nëse do të mbahen zgjedhjet më 18 dhjetor në komunat me shumicë serbe.
Mbase, ky vendim për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do të merret vetëm pas vlerësimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë.
Kështu të paktën kanë thënë të mërkurën nga Presidenca e Republikës së Kosovës.
Për mbajtjen ose jo të këtyre zgjedhjeve janë deklaruar edhe nga Mitrovica e Jugut.
Nënkryetari i kësaj komune, Arian Tahiri tha për Front Online se u takon institucioneve kompetente të vendosin nëse do të mbahen zgjedhjet.
“Vlerësimin e bëjnë institucionet kompetente, ne si komunë nuk mundemi me thënë asgjë. Mendoj që gjithçka duhet me shku në koordinim me institucionet kompetente”, u shpreh Tahiri.
Megjithatë, ai tha se siguria është duke u kërcënuar.
Tahiri tha se në pjesën jugore të Mitrovicës, qytetarët po ndihen të shqetësuar për gjendjen aktuale në veri.
“Pjesa në situatën jugore është e qetë, por këto zhvillimet e fundit, qytetarët normal që janë duke i përcjell me shqetësim, për shkak që edhe është duke u kërcënuar siguria, në të njëjtën kohë ka edhe që kanë familjarë, faktikisht ne kemi familjarë të gjithë në pjesën veriore, dhe shqetësohemi për sigurinë e tyre edhe për shkak të kufizimeve. Situata aktuale në veri, sipas informacioneve, domethënë ne që jemi në komunikim atje edhe me banorë, por edhe me institucionet e sigurisë, është e tensionuar, aspak stabile, dhe me indikacione të larta të jostabilitetit edhe mos sigurisë, pasiguri e madhe”, u shpreh Tahiri.
Tahiri tutje tha se si komunë kanë bërë thirrje që të ruhet qetësia, dhe të lejohen institucionet ta kryejnë punën.
“Ne i kemi kërkuar qytetarëve që ta ruajnë qetësinë, edhe të njëjtën kohë me besu tek institucionet, dhe me i leju institucionet kompetente me kry punën e tyre në mënyrë më profesionale të mundshme”, deklaroi Tahiri.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.
Më 6 dhjetor, grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata. 2 incidente të tilla kanë ndodhur edhe mbrëmë në veri të vendit.
Zgjedhjet në 4 komunat në veri u shpallën nga presidentja Osmani, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.