Komisioni Evropian, ka bërë të ditur se është gati ta mbështesë Parlamentin dhe Këshillin e Evropës që ta shtyjë përpara “sa më shpejt të jetë e mundur” procedimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kështu ka bërë të ditur një zëdhënëse e KE-së nëpërmjet një përgjigje përmes e-mailit për lajmi.net. Të pyetur për raportin e pestë të KE-së, që kërkonte nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut t’i vendoset regjimi vizave ndaj Kosovës (i cili më pas u përmirësua), nga organi evropian kanë bërë të ditur se ata e mbështesin lëvizjen lirshëm.
“Komisioni e mbështet plotësisht regjimin pa viza për Kosovën, si çështje prioritare. Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizim vizash. Komisioni është i gatshëm të mbështesë Parlamentin dhe Këshillin për ta shtyrë përpara sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar një zëdhënëse e KE-së.
“Përafrimi me listën pa viza të BE-së është thelbësor, siç u theksua edhe në diskutimet e fundit politike dhe teknike. Ai është gjithashtu një nga elementët thelbësorë të Planit të Veprimit të BE-së të miratuar së fundmi për Ballkanin Perëndimor”.
Institucioni evropian, ditë më parë, në raportin e pestë të publikuar në fillim të muajit dhjetor, gabimisht listoi Kosovën në mesin e shteteve të treta, për të cilat kërkoi nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vendosje të regjimit të vizave. Më pas, raporti u përmirësua duke e larguar Kosovën në mesin e kategorisë të shteteve të treta.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për mandatin e Këshillit Evropian për të negociuar rregulloren për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Në bazë të këtij mandati, presidenca e Këshillit Evropian do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.
Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur me hyrjen në fuqi të sistemit evropian të udhëtimit, ETIAS, që pritet të ndodhë më 1 nëntor të vitit 2023 ose më së voni me 1 janar të vitit 2024.
Sistemi ETIAS nënkupton që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian, janë të obliguar t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.