Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se Kryeministri i Kosovës duhet të japë dorëheqje nëse dëshiron t`i bëjë ndonjë të mirë vendit të tij, përcjell InLajmi.
Haradinaj, shprehet se krejt çka po bën kryeministri Kurti, është anti-kushtetuese dhe insistimi i tij për mbajtjen e zgjedhjeve në veri është pjesë e skenarit për një autonomi në veri e jo nevoja e kthimit të ligjshmërisë e demokracisë atje.
Por ky skenar sipas Haradinajt “nuk do të kalojë” as nga Kurti e as nga sejmenët e tij!
Lideri Haradinaj, tha se kryeministrit Kurti sikur nuk po i mjafton akti tashmë i kryer për themelimin e Asociacionit, por vazhdon me skenare të tjera.
E themelimin e Asociacionit lideri i AAK-së e quajti të dhimbshme, të rrezikshme dhe anti-kombëtare.
Postimi i plotë i tij:
E dhimbshme. E rrezikshme. Anti-kombëtare e anti-shtetërore krejt çka po bën e si po vepron Kryeministri. Atij nuk po i mjafton asociacioni të cilin tashmë e ka bërë akt të kryer, por po e shtyn nje autonomi për veri.
Insistimi me çdo kusht i mbajtjes së zgjedhjeve në veri, është pjesë e këtij skenari e jo nevojë për rikthim, as të ligjit e as të demokracisë në këtë pjesë të Kosovës. Por ky skenar “nuk do të kalojë” as nga Kurti e as nga sejmenët e tij!
Ky njeri e ka shansin e fundit ta bëjë një punë të mirë për Kosovë. Të japë dorëheqje! /InLajmi/