Foqion Postoli njihet si shkrimtar dhe atdhetar i shquar, që veprimtarinë e tij e zhvilloi kryesisht jashtë vendlindjes për shkak të rrethanave politike të atëhershme në Shqipëri, shkruan InLajmi.
Postoli me të drejtë konsiderohet në radhën e romansierëve të parë shqiptarë të periudhës me romantizmit e realizmit. Romani i tij “Lulja e kujtimit” ka qenë vepër që ka frymëzuar sa e sa breza atdhetarësh. Po kështu, për një kohë të gjatë ky roman qenë edhe literaturë e obligueshme në shkollat shqipe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo në shkollat kombëtare.
Përveç romaneve shumë të njohura: “Lulja e kujtimit” e “Për mbrojtjen e Atdheut”, Foqion Postoli ka shkruar edhe veprat: “Detyra e mëmës” dhe “Martesa e një avokati”.
“Lulja e kujtimit”
Ne romanin tij “Lulja e Kujtimit” përshkruhen ngjarjet që i përkasin periudhës së përpjekjeve që bëheshin në ato kohë për t’u çliruar nga zgjedha turke dhe influenca e propagandës greke, e cila ishte një pengese serioze për lëvizjen tonë kombëtare. Ne këtë roman popullor, gërshetohen konfliktet personale me ato shoqërore e politike, ku epërsinë e marrin kurdoherë këta të fundit. Ngjarjet e romanit zhvillohen në një ambient tregtar, qe është verbuar nga propaganda greke. Subjekti i romanit është i thjeshtë: djali i ri Dhimitri, që punon si kryeshërbëtor në dyqanin e Z. Kristo, dashuron vajzën e tij të vetme, Olimbine, e cila edhe ajo e do Dhimitrin me gjithë shpirt, ndonëse ai është i varfër. Zoti Kristo, duke përparuar në tregti, sjell nga Greqia një sekretar, Nikon, për të drejtuar tregtinë e tij. Nikua fiton me dinakëri simpatinë e Z. Kristo, dhe ky, duke mos e njohur fytyrën e vërtete të Nikos, arrin deri sa t’i propozoje atij për ta bëre dhëndër. Olimbia, kur e merr vesh këtë gjë proteston dhe i thotë babait pa u druajtur se ajo e dashuron Dhimitrin. Z. Kristo, që nuk mund të pajtohet me këtë mendim, harton bashkë me Nikon planin për ta larguar Dhimitrin nga Korça duke e dorëzuar në duart e qeverisë turke si kryengritës dhe i cili kishte marrëdhënie me shqiptarët jashtë Shqipërisë. Dhimitri, i paralajmëruar nga Olimbia, largohet nga Korça, dhe niset për në Manastir ku njihte mjaft kryengritës. Mirëpo ishte një natë e egër dimri dhe Dhimitrit i del një tufë ujqërish, të cilët ja shqyejnë kalin, ndërsa ai vete mezi shpëton gjallë me ndihmën e kryengritësve të asaj anë që vepronin atje. Në këtë kohë në Korçe përhapet lajmi se Dhimitrin e kanë shqyer ujqërit. Kur e merr vesh Olimbia këtë gjë dëshpërohet aq shumë sa luan mendsh dhe mbetet ashtu 16 muaj, deri sa një dite “Lulja e Kujtimit”, që ja kish falur Dhimitri i cili e kishte marrë nga nëna e tij që ja kishte sjellë burri, pra babai i Dhimitrit nga Egjipti, i ngjall asaj kujtimet e së kaluarës dhe e sjell në vete. Pas 2 vjetësh Dhimitrin e gjejmë përsëri në rrethet e Korçës. Këtu ai vepron në krye të lëvizjes për çlirimin e Shqipërisë si e kish urdhëruar qendra e kryengritësve. Kur po vepronte në rrethet e Korçës. Dhimitri mundi të shpëtonte nga kthetrat e Nikos, i cili bënte plane djallëzore për t’ia grabitur pasurinë e Kristos dhe për ta detyruar me forcë Olimbinë të bëhej gruaja e tij. Mirëpo Dhimitri planet e Nikos i ndaloi pasi u kthye ne shtëpinë e tij. Pas këtyre ndodhive gjithashtu Dhimitri dhe Olimbia u martuan dhe të gjithë u gëzuan. Edhe Z.kristo u gëzua për të 2 dhe i tha Dhimitrit që nesër e tutje unë nuk kam të bëj më me dyqanin tim, në duart e tua të mbetet shtëpia ime tregtare se unë u plaka dhe ju na shpëtuat nga vdekja dhe çnderimi.
Veprimtaria letrare, politike dhe shoqërore e Foqion Postolit u zhvillua gjatë viteve të fundit të Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë tonë kombëtare. Kjo ishte periudha e ngritjes më të madhe që pati lëvizja jonë kombëtare dhe përfundoi me Pavarësinë e vendit më 28 Nëntor të vitit 1912. Por kjo ngritje u shoqërua edhe me rënie te menjëhershme, që erdhi si pasojë e ndërhyrjeve të huaja dhe luftërave botërore. Edhe pse jetoi në periudha të ndryshme të historisë në veprat ne tij shkrimtari pasqyroi idetë e rilindësve tanë, siç ishin dashuria për atdheun, urrejtja e madhe për pushtuesit otomanë, dhe krenaria për historinë e vendit. Autori në librat e tij është frymëzuar nga temat aktuale të asaj kohe. /InLajmi/