Në Kosovë do të mbajë mot i ngjashëm, me vranësira intervale të shkurtra kohore me diell dhe rrallë në disa vise priten riga lokale shiu. Temperatura maksimale pritet të arrijë deri në 12 – 13 gradë Celsius.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe për dallim nga Kosova do të ketë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, por jo në tërë territorin. Rrebeshe lokale nesër priten edhe në Mal të Zi, ndërsa në Maqedoninë Veriore dhe Kosoven lindore priten vranësira dhe rrallëkund ndonjë rigë shiu.
Edhe të premtën na pret mot i ngjashëm dhe relativisht i ngrohtë për këtë periudhë kohore. Priten vranësira, intervale të shkurtra kohore me diell, riga të rralla shiu dhe erëra jugore. Në Shqipëri dhe Mal të Zi më shumë reshje dhe rrebeshe lokale shiu. Edhe në veriperëndim të Kosovës mund të ketë reshje paksa më të shumta.
Të shtunën në tërë rajonin intensifikim i reshjeve të shiut. Në Shqipëri priten rrebeshe lokalisht mjaft të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Edhe në Kosovë të shtunën pasdite priten reshje më intensive sidomos në jug dhe perëndim të vendit.
Reshjet e herëpashershme të shiut do të vazhdojnë edhe të dielën e borë vetëm në malet më të larta, shkruan Meteo Ballkan.
Të hënën në Kosovë ulje e temperaturave, ndryshim e drejtimit të erërave dhe reshje bore. Reshje bore përpos Kosoves lokalisht priten edhe në verilindje e lindje të Shqipërisë, veriperëndim, perëndim, verilindje të Maqedonisë së Veriut e më së shumti në veri të Malit të Zi.