Pas sulmeve të djeshme brenda zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në veri, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama thotë se nuk është hera e parë që në atë pjesë situata është e tensionuar.
Rama theksoi se nuk është punë e KQZ-së që të ndërhyjë në rolin e Policisë për masat që kjo e fundit i ndërmerr.
“Nuk është e jona si KQZ që të ndërhyjmë në rolin e Policisë qysh e organizon ose cilat masa i ndërmerr. Për KQZ është me rëndësi që të gjithë stafi i KQZ-së pikë së pari të sigurohet, të gjithë votuesit po ashtu të jenë të sigurt. E ai është roli i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të sigurisë”, tha ai
Tutje, Rama potencoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me organet e sigurisë, që zyrtarët e KQZ-së të jenë të sigurt.
“Edhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, kolegët e KQZ, përgjegjësit që merren e koordinim me organet e sigurisë, janë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë, dhe të gjitha veprimet që i ndërmarrin, i ndërmarrin në koordinim me Policinë. Veprimi i djeshëm ka qenë në koordinim të plotë me Policinë”, deklaroi ai në “Ditari” në Tëvë 1.
Ai shtoi se zgjedhjet në veri mund të mbahen, pasi siç thotë ai, krejt kjo i takon vlerësimit të organeve të sigurisë.
Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar disa shpërthime në pjesën veriore të vendit, si shenjë revolte për zgjedhjet që pritet të mbahen më 18 dhjetor.