Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se paraja publike po keqmenaxhohet nga qeveria në pushtet, përcjell InLajmi.
Hoti tha se qeveria këto para as nuk po i përdorë për të mirën e qytetarëve e as nuk po merret me projekte, në të mirë të Kosovës.
Këto para, sipas Hotit, po i zhvlerëson inflacioni, përderisa jeta e qytetarëve në Kosovës për shkak të inflacionit të lartë është bërë e padurueshme.
Deputeti Hoti theksoi se nëse do të merrej parasysh propozimi i LDK-së për heqjen e TVSH-së dhe akcizës, jeta e banorëve të Kosvës nuk do të ishte kaq e rëndë sa është tani për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazë të konsumit.
Postimi i plotë i tij:

Menaxhim katastrofal i parasë publike, ja një fakt i thjeshtë
Agjencia e Statistikave vlerëson se në 3 mujorin e 3-të të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit për biznese u rritën me 17.2% mesatarisht. Rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7%, duke i rritur kështu çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm.
Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, siç kemi propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishte më e ulëta. Rrjedhimisht, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm do të ishin më të ulëta dhe jeta e familjeve do të ishte më të lehtë.
Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza, sot nuk do të kishim 700.000.000 euro në llogari të Qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni. Rreth 300.000.000 euro do të ishin në buxhetin e familjeve dhe bizneseve dhe do të qarkullonin në ekonomi.
As nuk i shpenzojnë mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave, e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë. I mbledhin pa nevojë, i mbajnë në llogari dhe zhvlerësohen nga inflacioni. Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike! /InLajmi/