Sipas analistit Astrit Gashi, më shumë forca policore që merren me serbët e veriut nuk kanë efekt. Ai thotë se duhet përdorur një diplomaci përmes së cilës serbët e Veriut mund të largohen nga ndikimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Analisti Astrit Gashi ka thënë se zhvillimet në Veri të Mitrovicës të martën e 6 dhjetorit lidhen me dokumentin e ri franko-gjerman.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Gashi ka thënë se tensionet në Veri të vendit po paraqesin një pakënaqësi të Serbisë lidhur me dokumentin e ri, siç e quan ai, atë të versionit “2.0”.
“Ç’ka po ndodh në veri besoj se është e lidhur me atë që u prezantua në Beograd dhe në Prishtinë. Me një version 2.0 të një dokumenti të ri, të marrëveshjes së re në mes Kosovës dhe Serbisë, që e kanë prezantuar Gjermania e Franca…Çka po ndodhë në veri është një pakënaqësi e Serbisë për të ndërhyrë në këtë draft…”, ka deklaruar Gashi.
Krahas kësaj, ai cilëson se shtimi i forcave të sigurisë në veri të vendit nuk do të ketë efekt.
“Beteja në Veri nuk bëhet në Veri, bëhet me Serbinë…më shumë forca policore që merren me serbët e veriut nuk kanë efekt. Ne duhemi me pasë diplomaci, një betejë që duhet me pas duke i largu Serbinë nga ndikimi nga qytetarët e Veriut, jo përmes forcave policore… Serbia don të të fus në konflikt me qytetarët në Veri”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, në qoftë se shtyhen zgjedhjet në Veri, gjithçka që fiton Serbia është “kohë”.