Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka raportuar lidhur me dialogun dhe planin franko-gjerman në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, raporton InLajmi.
Ai tha se temat për të cilat është diskutuar me BE-në është ajo e lëvizjes së lirë, energjia elektrike dhe tema e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.
“Kemi arritur dakordim me BE-në që të kemi marrëveshje gjithëpërfshirëse. Temat që janë diskutuar janë tema e lëvizjes së lirë dhe e 2-ta me energjinë, tema e 3-të ka qenë tema e të pa gjeturve dhe kam kërkuar që kjo të mos lihet jashtë marrëveshjes” tha Bislimi.
Bislimi duke folur për planin franko-gjerman tha se propozimi i BE-së ka qenë që kjo marrëveshje të finalizohet deri në fundin e marsit të vitit 2023 dhe gjithashtu janë dakorduar që ky plan të mbahet larg publikut.
“Në të 2-ja temat kemi arritur marrëveshje të mira. Propozimi në planin franko-gjerman ka qenë që marrëveshja të përfundoj në fundin e marsit 2023. Për propozimin ka një dakordim në mes propozuesve që përmbajtja e këtij plani të mbahet larg nga publiku dhe nuk mund të nxjerrim detaje për këtë propozim”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Ambasadori Borrell ditën e martë nga Tirana, ku po merrte pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor deklaroi se draftet finale të planit franko-gjerman u janë dorëzuar Kurtit dhe Vuçiqit në takimet e fundit që i kanë zhvilluar me Emisarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. /InLajmi/