Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka takuar ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, përcjell InLajmi.
Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, si dhe procesin zgjedhor të caktuar për fundin e këtij muaji.
Krasniqi i ka treguar ambasadorit Guerot, 5 pikat që PDK i ka propozuar për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
Ambasadori Guerot e ka uruar gjithashtu Krasniqin për anëtarësimin e PDK-së në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës.
Postimi i plotë i tij:
Në takimin e zhvilluar sot me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, diskutuam për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, duke përfshirë procesin zgjedhor të caktuar për fundin e këtij muaji.
Ambasadorit Guérot i shpreha mirënjohjen time për Francën për mbështetjen e ofruar në procedurën lidhur me vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në këtë takim, ripërsërita 5 pikat e propozuara nga unë dhe Partia Demokratike e Kosovës për marrëveshjen finale në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues, njohja formale nga 5 shtetet mosnjohëse të BE-së, nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë – duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje.
Po ashtu, gjatë këtij takimi pranova urimet e ambasadorit francez për anëtarësimin e PDK-së në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), i cili e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm në procesin reformues të nisur nga partia jonë. /InLajmi/