Ka kaluar më shumë se një dekadë prej kur vlerësohet se Kosova ka nevojë të reformojë sistemin zgjedhor. Nga atëherë, përkundër disa përpjekjeve nuk është bërë asgjë konkrete.
Një komision Ad-Hoc i themeluar për këtë çështje, së shpejti mund të fillojë draftimin e ndryshimeve të nevojshme.
Njohës të sistemit zgjedhor thonë se reforma është e domosdoshme dhe duhet të përmbyllet sa më parë.
Reforma zgjedhore, e përfolur prej vitesh dhe e vlerësuar si mjaft e nevojshme, duket se po shkon drejt finalizimit. Për këtë tashmë është formuar edhe një komision Ad-Hoc.
Kryetari i Komisionit për Reformë Zgjedhore, Abelard Tahiri, ditë më parë tha se së shpejti do të draftohen ndryshimet në kuadër të reformës zgjedhore, të cilat më pas, do të dërgohen për miratim në Kuvend.
Sipas ekspertit të së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, reforma zgjedhore duhet të ndodhë sa më parë.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tutje thotë se reforma zgjedhore është “një det” me çështje që duhet trajtuar, filluar nga ligjet që janë në fuqi që nga koha e UNMIK-ut e deri te pragu zgjedhor.
“Legjislacioni elektoral, sistemi zgjedhor dhe procesi elektoral. 3 këto shtylla do të duhej të ndryshoheshin. Vlerësoj se duhet ndryshuar nga pragu zgjedhor e deri te zonat zgjedhore. Deri tash nuk ka pasur interesim dhe vullnet nga partitë politike. Prandaj edhe procesi ka ngecur. Kësaj radhe të shohim, me këtë komision që kanë formuar në parlament, se çfarë do të ndodhë. Por, nëse ka vullnet, reforma është e domosdoshme”, tha Baraliu.
Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se partia në pushtet është kundër asaj që Kosova të ndahet në disa zona zgjedhore.
“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është se Kosova është shumë e vogël që të ndahet në zona. Realisht, për të shkuar prej Prishtinës deri në Dragash bën pak më shumë se një orë e gjysmë. Pastaj interesat e Prishtinës nuk janë shumë ndryshe prej Ferizajt ose qyteteve të tjera. Ndarja në disa zona e komplikon procesin, posaçërisht për vendet e rezervuara. Mendojmë se aktualisht fokusi duhet të jetë tek administrimi i procesit zgjedhor, por jo edhe te këto çështje substanciale që mund të adresohen më vonë, por jo tash”, tha ai për Radio Kosova.
Rama thotë se disa kërkesa të tjera të Vetëvendosjes janë të ngjashme me rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së, që ndërlidhen me çështjet si: rregullimi i certifikimit të kandidatëve, përmirësimi i regjistrit të votuesve apo edhe thjeshtësimi i mënyrës së votimit të mërgatës.