Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se në takimin e ditës së premte i ftuar nga Presidentja Osmani ka njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policorë që janë angazhuar në rastin e 35-vjeçares shtatzënë që u nda nga jeta të mërkurën e 30 nëntorit, përcjell InLajmi.
Sveçla ka thënë se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal pasi ka dyshime të bazuara për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Falsifikim i dokumentit zyrtar’’, me këtë rast IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga stacioni policor në Lipjan, ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim.
Postimi i plotë i tij:
Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policor që janë angazhuar në gjithë rastin e tashmë të ndjerës Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan.
Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim.
Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal./InLajmi/