Zëdhënësja e LDK-së Sibel Halimi, e ka quajtur si lajm të mirë suspendimin e zyrtarëve policorë që nuk e kryen detyrën në rastin e 35-vjeçares së vrarë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, përcjell InLajmi.
Mirëpo, Halimi thotë se ky suspendim nuk mjafton, pasi sipas saj bashkë me ta duhet të shkojë edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla. Ajo thotë se ky largim i ministrit Sveçla duhet të ndodhë së paku si akt moral.
Tutje, ajo shton se shteti dështoi ta mbronte 35-vjeçaren shtatzënë, prandaj ky dyshtim siç thekson ajo, nuk mund të kalojë me disa dorëheqje në fundin e zinxhirit komandues, pa ndodhur ato edhe në krye të tij.
Postimi i plotë i saj:
Zinxhiri i shkarkimeve duhet të shkoj deri në fund
Është padyshim lajm i mirë suspendimi i zyrtarëve policorë që nuk e kryen detyrën, zbatimin e urdhërit të mbrojtjes për gruan e ekzekutuar mizorisht në oborrin e QKUK-së. Mirëpo kjo nuk mjafton. Bashkë me ta, duhet të shkojë edhe eprori i tyre, Ministri i Brendshëm. Kjo duhet të ndodh së paku si akt moral, nëse jo për tjetër.
Gruaja që u privua nga jeta bashkë me foshnjën e saj, ishte e shtrirë në një institucion publik shëndetësor. Pra, ishte nën përkujdesjen e shtetit që dështoi ta mbronte atë. Ky dështim i pafalshëm dhe me pasoja fatale, nuk mund të kalojë me disa dorëheqje në fundin e zinxhirit komandues, pa ndodhur ato edhe në krye të tij. /InLajmi/