Disa ditë para se liderët e Bashkimit Europian të vizitojnë Tiranën në kuadër të samitit të 6 dhjetorit, në Parlamentin Europian u miratua një rezolutë për Shqipërinë, me në fokus rritjen e transparencës dhe llogari dhënies.
Rezoluta, e cila është diskutuar prej 2 ditësh në Bruksel, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërparlamentar Shqipëri-BE për Stabilizim-Asocimin, ka bërë pjesë të saj edhe disa amendamente të propozuara nga Partia Demokratike.
Shqetësimet kryesore të reflektuara në këtë rezolutë kanë të bëjnë me transparencën e fondeve publike, dhe mbrojtjen e të dhënave personale, rritja e korrupsionit dhe lufta ndaj krimit të organizuar si dhe eliminimin e ndikimit politik në sistemin e drejtësisë.
Deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësimin e 3 nismave qeveritare që sipas tyre shkojnë në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Europian, siç janë pasaportat e arta dhe amnistia fiskale.
Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj gjatë fjalës së tij ka theksuar se problematikë vijon të mbetet mosadresimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, shkruan euronews.al
Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla gjatë fjalës së tij i ka kërkuar Parlamentit Europian të mbështesin Ballkanin e Hapur, si një instrument që sipas tij vë në zbatim çështjet e adresuara në procesin e Berlinit.