Gjykata Themelore në Prishtinë e ka pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, përcjell InLajmi.
Pezullimi i vendimit vjen pas padisë së Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës kundrejt qeverisë me kërkesën për anulimin e vendimit për uljen e pagave të prokurorëve e qyqtarëve.
Parandaj vendimi qeveritar nuk do të ekzekutohet derisa Gjykata të jap verdiktin përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e vendimit.
Rikujtojmë se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Kurti vendosi me 23 nëntor që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë.
Ky vendim është kundërshtuar fuqishëm nga sistemi i drejtësisë.
Njoftimi i plotë nga Gjykata Themelore:
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me datën 29.11.2022, ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështje në konfliktin administrativ.
Gjykata me datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozuesës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.
Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese. /InLajmi/