Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së ish-gazetarit Seremb Gjergji, me rastin e vdekjes së tij në moshë të re, përcjell InLajmi.
Në njoftimin e AGK-së thuhet se lajmin për vdekjen e Gjergjit e kanë pranuar me dhimbje dhe pikëllim të thellë.
Kolegët e tij e kujtojnë të ndjerin si gazetar i cili karrierën e tij e kishte filluar para luftës së fundit në Kosovë dhe ka vazhduar veprimtarinë e tij edhe pas luftës duke punuar në disa media.
Njoftimi i plotë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës:
Telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Seremb Gjergji
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë kemi pranuar lajmin për vdekjen e kolegut tonë, gazetarit të mirënjohur, Seremb Gjergji.
Vdekjen e Gjergjit në moshën 47-vjeçare, e kanë bërë të ditur familjarët e tij në mediet sociale.
Seremb Gjergji ka filluar karrierën si gazetar para luftës në Kosovë, ku ka vazhduar veprimtarinë e tij profesionale edhe pas luftës në disa mediume.
Kontributin dhe përkushtimin që gazetari Gjergji pati për gazetarinë, e vlerësojmë lartë, njëherësh u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij. /InLajmi/