Ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, ditën e enjte në Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qendrore në fushën e mbrojtjes ka takuar ministrin e mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Mario Banozic, përcjell InLajmi.
Mehaj tha se Republika e Kosovës ka vendin në NATO pranë Kroacisë duke e theksuar se miqësia në mes 2 vendeve daton qysh herët.
Ai tha se Kosovën dhe Kroacinë i bashkon e kaluara e ngjajshme dhe se temë diskutimi ishte bashkëpunimi ndërmjet ministrive të mbrojtjes përmes nënshkrimit të marrëveshjes SOFA për bashkëpunim ushtarak në shumë drejtime.
Ministri Mehaj gjithashtu shtoi se e kaluara është mësim që nuk përsëritet më andaj e ardhmja e Kosovës është pranë BE-së dhe NATO-s.
Postimi i plotë i tij:
Republika e Kosovës ka vendin në NATO, pranë aleatit tonë, Kroacisë!
Në vazhdimësi të takimeve në Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qëndrore në fushën e Mbrojtjes, kam takuar Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Mario Banozic.
Miqësia me shtetin kroat daton qysh herët.
Si 2 shtete që kemi një të kaluar të ngjajshme, kuptojmë shumë mirë seriozitetin e situatës aktuale gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit të shteteve të Evropës në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor, aty ku vërehen haptasi tendencat e ndikimit rus, andaj edhe pjesë e diskutimit ishte bashkëpunimi ndërmjet ministrive të mbrojtjes dhe forcave të të dyja shteteve përmes nënshkrimit sa më parë të marrëveshjes SOFA, që do thellonte dhe detajizonte bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime, duke kontribuar kështu në ruajtjen e paqes në rajon por edhe më gjerë.
E kaluara është mësim që nuk përsëritet më, andaj qëllimet tona janë të qarta, e ardhmja jonë është pranë familjes së madhe të Bashkimit Evropian dhe aleancës së NATO-s.
Në këtë rrugëtim kemi aleat Kroacinë, ashtu si edhe shumë shtete të tjera partnere që vlerësojnë pozicionimin proevropian të Republikës së Kosovës dhe të shtetasve tanë./InLajmi/