Kryenegociatori i Kosovës në bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se pas 23 nëntorit kur u arrit pajtimi për targat KM që ai nuk e quan as edhe dakordim por deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë Josep Borrell, e me të cilën nis faza e re e dialogut.
“Sot pasdite kam një takim online me emisarin për dialog Miroslav Lajçak. Mendoj se shumë shpejt duhet të ftohet takimi mes krerëve të shteteve, është zotim i Brukselit që deri në mars të vitit 2023 të përfundohen negociatat për normalizim”, theksoi Bislimi gjatë raportimit në Komision për Integrime Evropiane.
Ndërkohë, ai shpalosi detaje për aplikimin që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE.
Një ekip prej 4 personave që ai i quan ekspertë, sipas tij po qëndrojnë në kryeqendrën evropiane e po kontaktojnë me secilin vend anëtar, përfshirë 5 mos-njohëset, përcjell Klan Kosova
“Ne kemi një datë, por për aq kohë sa kjo nuk është e konfirmuar në plotni me presidencën çeke e cila duhet ta pranojë aplikimin, nuk e bëjmë publike. Por është tek mesi i muajit dhjetor”, përfundoi Bislimi, që në qeveri e mban pozitën e zëvendëskryeministrit të parë.