Ish-deputeti Visar Ymeri ka thënë se kryeministri Kurti ka prezantuar një fitore në Kuvendin e Kosovës me arritjen e marrëveshjes në Bruksel gjersa në intervista, të njëjtën e prezanton si ‘‘kompromis’’.
Sipas analistit Visar Ymeri, ekziston një shpërputhje në mes asaj çka Kryeministri Kurti kishte deklaruar në faltoren e Kuvendit të Kosovës të enjten, krahasuar me atë ç’ka ai ka deklaruar në intervistën e gazetarit Martens.
I ftuar në Debat Plus në RTV Dukagjini, Ymeri ka thënë se Kryeministri Kurti ka prezantuar një fitore në kuvend me arritjen e marrëveshjes në Bruksel, atë që Kurti e quan ‘’dakordim’’, gjersa në intervistë e prezanton si ‘‘kompromis’’.
“Ne kemi një shpërputhje në mes të asaj çka tha Kryeministri Kurti në Kuvend dhe asaj çka ka deklaruar këtu. Të enjten, ai e deklaroi marrëveshjen si një fitore me që Borrelli hoqi odorë nga qëndrimi i vet dhe me që Serbia pranoi atë që kishte kërkuar të hënën kryeministri. Ndërkohë, gjithashtu po thotë që ambasadori amerikan i ka dhënë disa informata për gjendjen në Veri dhe kjo pastaj, e ka shtyer Kryeministrin të mos e bëjë gjendjen më keq”, ka deklaruar Ymeri.
Nëse informatat barten në baza ditore tek institucionet e Kosovës nga institucionet e SHBA-ve, Ymeri thotë se Kurti do duhej të dinte informacionet nga AKI-ja dhe jo me të pritur informacionet nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier.
Ndonëse intervista nuk ishte publikuar akoma, gazetari Martens ka zbuluar disa pjesë të intervistës, përkatësisht disa nga deklaratat dhe temat kryesore të intervistës.
Siç shkruan gazetari, Kurti kishte theksuar se ambasadori amerikan Hovenier dinte më shumë për situatën në Veri sesa vet Kurti. Kjo pjesë nuk ishte përfshirë në publikimin e intervistës së Kurtit gjë për të cilën, Martens ka thënë se ishte bërë si shkak i gjatësisë së intervistës dhe mosinteresit të popullit gjerman për një çështje të tillë.
Më 23 nëntor të këtij viti, kryediplomati evropian, Josep Borell, ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.
Borrell ka bërë të ditur se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka deklaruar Borrell.