Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi deklaroi se kanë marrë mbështetje nga State Departmenti dhe Capital Hill se çështja e Luginës së Preshevës do të jetë pjesë e agjendës së tyre.
Ai në një lidhje direkte në “Këndin e Debatit” në tëvë1, tha se janë në proces të hapave që kjo çështje të jetë pjesë edhe e institucioneve të Bashkimit Evropian.
“Kemi takuar edhe në State Department, Capital Hill kemi takuar edhe Escobar dhe kemi takuar disa senatorë të rëndësishëm e kongresmenë të rëndësishëm sepse konsiderojmë se duhet të jetë pjesë e agjendës çështja e Luginës sepse në vazhdimësi nëse shohim rrethanat historike SHBA kanë qenë shtyrësi më i madh i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve”, tha ai.
Madje, ai vlerëson se nëse nuk zgjidhet çështja e Luginës nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe paqe të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë.
“Ne kemi marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga State Department dhe jemi në proces për të bërë hapa mëtutjeshëm, njëkohësisht jemi në koordinim për mundësinë e avokimit në institucionet e BE-së përkatësisht Lajçak dhe Borrell në mënyrë që çështja e Luginës të jetë edhe pjesë e marrëveshjes përkundër që marrëveshja Kosovë-Serbi që nënkupton për shkak të kontekstit që gjindemi nuk e besoj që mund të arrihet paqe e qëndrueshme dhe të ketë normalizim të marrëdhënieve pa qenë pjesë e marrëveshjes edhe çështja e Luginës së Preshevës”, shtoi ai