Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevat Bislimi ka thënë se bashkimi kombëtar mund të ndodhë me punën e politikanëve, pa shkaktuar zhurma.
I ftuar në emisionin” Këndi i Debatit”, ai theksoi se politikanët e të 2 shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës mund të bëjnë shumëçka para se të vije çështja se a do bashkohen 2 vendet a jo.
“Ata duhet të bëjnë punën, fjalët është mirë t’ua lënë OJQ-ve. Duke filluar me bashkimin e planpogrameve shkollore, bashkimin e Instituteve, sot kemi 3 institute që merren me studime të gjuhësisë me studime albanologjike, pastaj bashkimi i Akademisë… dhe shumë e shumë fusha tjera të cilat mund të bashkohen pa shkaktuar asnjë zhurmë as te fqinjët as te bota. Nuk ka nevojë kombi ynë për zhurma të tilla nga politikanë që më shumë janë grindavecë, më shumë prishin punë sesa që ndreqin punë”, tha ai.
Sipas Bislimit, politikanët si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri po shkaktojnë plasaritje e ftohje në raportet mes 2 vendeve me deklaratat e tyre të cilat ai i cilësoi si të panevojshme, përcjell tëvë1
“S’po veçoj emra por si andej si këndej ke sa të duash grindavecë që shkaktojnë plasaritje, shkaktojnë ftohje në angazhimet e tyre me deklaratat e tyre me qëllime krejt të panevojshme. Kan me çka të merren në qoftë se duan t’i kontribojnë bashkimit të jo vetëm Kosovës se nuk është vetëm Kosova janë edhe krahina të tjera të tëra që janë jashtë kufijve shtetëror që janë jashtë Republikës amë të Shqipërisë”, shtoi ai.