Edhe një javë me mot mjaft të ndryshueshëm na pret këtë fund Nëntori dhe fillim Dhjetori. Gjatë këtyre ditëve do të kemi vranësira të shpeshta, nganjëherë edhe intervale kohore me diell dhe po ashtu priten reshje të reja atmosferike. Temperaturat nuk pritet të pësojnë ndryshime të mëdha.
Deri të mërkurën na pret mot i thatë, ndërsa të mërkurën do të kemi shtim të vranësirave të cilat lokalisht do të kushtëzojnë reshje shiu e në viset malore reshje bore.
Të entjën me 1 Dhjetor do të jemi nën ndikimin e një cikloni me qendër në Detin Jon. Si pasojë priten reshje shiu në shumë vise të territoreve tona. Në viset kodrinore-malore reshje bore. Me uljen e mëtutjeshme të temperaturave reshje shqote e bore pritet të ketë edhe në disa ultësira të Kosoves, shkruan Meteo Ballkan.
Duke u bazuar në ecuritë aktuale sinoptike të premtën do të ketë ndërprerje të reshjeve dhe na pret mot me alternime mes vranësirave e intervaleve kohore me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje të lehta. Mot i ngjashëm na pret edhe për fundjavë me më shumë gjasa për reshje lokale shiu në Shqipëri.